Mateu 7:3-17 Së Bashku (ALNT)

3. Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon traun që është në syrin tënd?

4. Dhe si mund t’i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd?

5. Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt e pastaj do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd.

6. Mos u jepni qenve gjërat e shenjta dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.»

7. «Lypni e do t’ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t’ju hapet,

8. sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet.

9. Kush prej jush do t’i jepte gur fëmijës së vet po t’i kërkonte bukë?

10. Ose, do t’i jepte gjarpër po t’i kërkonte peshk?

11. Nëse ju, që jeni të këqij dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12. Bëjuni të tjerëve atë që dëshironi t’ju bëjnë ata juve. Në këtë përmblidhen ligji i Moisiut dhe profetët.»

13. «Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje dhe të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të.

14. Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë.»

15. «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë.

16. Ata do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat?

17. Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija.

Mateu 7