Mateu 7:21-29 Së Bashku (ALNT)

21. «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22. Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”.

23. Atëherë do t’u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi.”»

24. «Kushdo që i dëgjon dhe i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb.

25. Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb.

26. Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend, që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë.

27. Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj».

28. Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij,

29. se i mësonte me autoritet dhe jo si skribët.

Mateu 7