Mateu 7:10-22 Së Bashku (ALNT)

10. Ose, do t’i jepte gjarpër po t’i kërkonte peshk?

11. Nëse ju, që jeni të këqij dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12. Bëjuni të tjerëve atë që dëshironi t’ju bëjnë ata juve. Në këtë përmblidhen ligji i Moisiut dhe profetët.»

13. «Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje dhe të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të.

14. Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë.»

15. «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë.

16. Ata do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat?

17. Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija.

18. Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira.

19. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr.

20. Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t’i njihni.»

21. «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22. Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”.

Mateu 7