Mateu 6:14-24 Së Bashku (ALNT)

14. Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve,

15. por nëse ju nuk do t’ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t’jua falë juve ato.»

16. «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t’u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre.

17. Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë dhe laje fytyrën,

18. që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë.»

19. «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin.

20. Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t’i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin.

21. Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.»

22. «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar.

23. Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!»

24. «Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë.»

Mateu 6