3. Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë».
4. Por Jezui iu përgjigj: «Shkrimi i shenjtë thotë: Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë».
5. Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit
6. dhe i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Do t’i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe ata do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur».
7. Jezui i tha: «Shkrimi i shenjtë thotë edhe: Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd».
8. Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre.
9. Dhe i tha Jezuit: «Do të t’i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë dhe më adhuron».
10. Atëherë Jezui i tha: «Largohu, Satan, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Adhuro Zotin, Perëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij».
11. Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt dhe i shërbenin.
12. Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile.
13. Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit,
14. që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isaia:
15. Tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, përtej Jordanit, Galile e paganëve!
16. Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi drita.
17. Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».
18. Ndërsa po ecte bregut të Liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllain e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë.
19. Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish».