20. Por kryepriftërinjtë dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën dhe të vrisnin Jezuin.
21. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?».Ata iu përgjigjën: «Barabën!».
22. Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?».Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!».
23. Ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë?».Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!».
24. Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës dhe tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!».
25. I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!».
26. Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
27. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën.
28. Ia hoqën rrobat dhe e mbështollën me një mantel të kuq.
29. Pastaj thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Të përshëndesim, o mbreti i judenjve!».
30. E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë.