41. Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët».
42. Jezui shkoi për të dytën herë dhe u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».
43. Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë.
44. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.
45. Pastaj erdhi te dishepujt dhe u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.
46. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit.
48. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!».
49. Dhe menjëherë iu afrua Jezuit dhe i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi.
50. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!».Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e arrestuan.
51. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin.
52. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën aty ku e kishe, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin.
53. A mendoni se nuk mund t’i lutem Atit tim që ai të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
54. Por si do të përmbusheshin Shkrimet e shenjta, që thonë se duhet të ndodhë kështu?».
55. Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit dhe nuk më kapët.