4. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi dhe ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t’i lëvizin as me gisht.
5. Të gjitha veprat i bëjnë që të duken para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera dhe cepat e mantelit të gjata.
6. U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga.
7. Duan që njerëzit t’i përshëndesin nëpër sheshe dhe t’i thërrasin “mësues”.
8. Por ju mos lejoni t’ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër.
9. Mos e quani askënd mbi tokë atin tuaj, sepse Ati juaj është një: ai që është në qiell.
10. Mos lejoni t’ju thërrasin prijës, sepse ju e keni një prijës, Krishtin.
11. Kush është më i madhi ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj.
12. Kush do ta lartësojë veten, atë do ta përulë Zoti dhe kush do të përulë veten, atë do ta lartësojë Zoti.»
14 . Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë, që u merrni të vejave gjithçka kanë, ndërkohë që bëni lutje të gjata për t’u dukur të mirë. Për këtë do të merrni ndëshkim më të madh..»
15. «Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besimin tuaj, dhe më pas e bëni atë bir të ferrit dy herë më shumë se veten tuaj!».
16. «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s’ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin.”
17. Të marrë dhe të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
18. Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s’ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin.”
19. Të verbër! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën?
20. Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar.
21. Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull.
22. Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron.»
23. «Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit të Moisiut: drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat.
24. Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!»
25. «Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje dhe shfrenim.