Mateu 23:26-37 Së Bashku (ALNT)

26. Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme.»

27. «Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra njerëzish të vdekur dhe gjithfarë ndyrësish.

28. Kështu nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, po përbrenda jeni plot hipokrizi dhe mbrapshti».

29. «Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve dhe stolisni përmendoret e të drejtëve!

30. Ju thoni: “Po të kishim jetuar ne në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim marrë pjesë në derdhjen e gjakut të profetëve.”

31. Kështu dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët.

32. Çojeni deri në fund veprën e nisur nga etërit tuaj.

33. Gjarpërinj dhe pjellë nepërkash, si do t’i shmangeni dënimit të ferrit?

34. Prandaj unë po ju dërgoj juve profetë, të urtë dhe skribë. Disa prej tyre do t’i vrisni dhe do t’i kryqëzoni, të tjerë do t’i rrihni në sinagogat tuaja dhe do t’i përndiqni nga qyteti në qytet

35. dhe kështu do të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarias, birit të Barakut, që e vratë mes shenjtërores dhe altarit.

36. Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brezni.»

37. «Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët dhe që me gurë i vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!

Mateu 23