13. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar dhe hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh.”
14. Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».
15. Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë.
16. Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë, që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri dhe pa u ndikuar nga askush.
17. Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t’i paguhen taksat Cezarit, apo jo?».
18. Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë?
19. Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë.
20. Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?».
21. Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë».
22. Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.