4. Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë ishte thënë përmes profetit:
5. I thoni bijës së Sionit: ja, po vjen te ti mbreti yt, plot butësi, hipur mbi një gomaricë dhe një kërriç, i vogli i gomaricës.
6. Dishepujt shkuan dhe vepruan siç i urdhëroi Jezui.
7. Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to.
8. Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë.
9. Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij thërrisnin: «Hosana birit të Davidit, bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, hosana në lartësitë e qiejve!».
10. Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?».
11. Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».
12. Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave.
13. Dhe u tha: «Shkrimi i shenjtë thotë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje,por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14. Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbërit e të çalët dhe ai i shëronte.
15. Por kryepriftërinjtë e skribët, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan
16. dhe i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?».Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi?».
17. Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.
18. Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria.
19. Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënsh më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast.