Mateu 21:11-23 Së Bashku (ALNT)

11. Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».

12. Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave.

13. Dhe u tha: «Shkrimi i shenjtë thotë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje,por ju e keni bërë shpellë kusarësh».

14. Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbërit e të çalët dhe ai i shëronte.

15. Por kryepriftërinjtë e skribët, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan

16. dhe i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?».Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi?».

17. Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.

18. Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria.

19. Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënsh më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast.

20. Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?».

21. Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim dhe të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t’i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte.

22. Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».

23. Jezui kishte hyrë në tempull dhe po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë autoritet?».

Mateu 21