10. Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?».
11. Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».
12. Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave.
13. Dhe u tha: «Shkrimi i shenjtë thotë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje,por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14. Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbërit e të çalët dhe ai i shëronte.
15. Por kryepriftërinjtë e skribët, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan
16. dhe i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?».Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi?».
17. Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.
18. Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria.
19. Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënsh më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast.
20. Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?».
21. Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim dhe të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t’i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte.