Mateu 21:10-18 Së Bashku (ALNT)

10. Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?».

11. Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».

12. Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave.

13. Dhe u tha: «Shkrimi i shenjtë thotë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje,por ju e keni bërë shpellë kusarësh».

14. Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbërit e të çalët dhe ai i shëronte.

15. Por kryepriftërinjtë e skribët, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan

16. dhe i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?».Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi?».

17. Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.

18. Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria.

Mateu 21