9. Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave dhe sesa shporta mblodhët?
10. Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët?
11. Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve».
12. Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
13. Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?».
14. Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia dhe të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët».
15. Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?».
16. Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë».
17. Jezui i tha:«Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej!
18. Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe fuqitë e ferrit nuk do ta mposhtin atë.
19. Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej».
20. Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.
21. Që nga ajo kohë, Jezui filloi t’u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem dhe të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve dhe skribëve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
22. Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë e i tha: «Larg qoftë o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë».
23. Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më pengon, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».
24. Pastaj Jezui u tha dishepujve:«Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.