1. Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan t’u bënte një mrekulli nga qielli.
2. Por ai iu përgjigj:«Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq.
3. Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mund të shpjegoni shenjat e kohës?
4. Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon mrekulli, por asaj nuk do t’i jepet asnjë mrekulli, përveç mrekullisë së Jonait».Pastaj u largua prej tyre.
5. Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë.
6. Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve».
7. Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete».
8. Por Jezui e dinte këtë gjë dhe u tha:«Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë?
9. Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave dhe sesa shporta mblodhët?
10. Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët?
11. Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve».
12. Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
13. Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?».
14. Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia dhe të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët».
15. Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?».