3. Jezui u përgjigj:«Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj?
4. Se Perëndia ka thënë: Ndero babanë tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për babanë e nënën, të dënohet me vdekje.
5. Por ju thoni: “Kush i thotë babait apo nënës se ndihmën që do t’ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë,
6. ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar babanë.” Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë.
7. Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha:
8. Ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje.
9. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve.»
10. Pastaj e thirri turmën pranë vetes dhe tha: «Dëgjoni e merrni vesh!
11. Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot ajo që del prej saj».
12. Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se farisenjtë janë skandalizuar kur e kanë dëgjuar këtë gjë?».
13. Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë.
14. Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».
15. Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë».
16. Jezui tha:«Ende nuk e keni kuptuar?
17. A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet?
18. Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun.