14. Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».
15. Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë».
16. Jezui tha:«Ende nuk e keni kuptuar?
17. A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet?
18. Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun.
19. Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme dhe fyerjet.
20. Këto e ndotin njeriun dhe jo ngrënia me duar të palara».
21. Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit.
22. Dhe ja, një grua kananease nga ajo krahinë shkoi dhe i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli».
23. Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur».
24. Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit».
25. Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!».