Mateu 15:13-23 Së Bashku (ALNT)

13. Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë.

14. Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».

15. Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë».

16. Jezui tha:«Ende nuk e keni kuptuar?

17. A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet?

18. Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun.

19. Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme dhe fyerjet.

20. Këto e ndotin njeriun dhe jo ngrënia me duar të palara».

21. Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit.

22. Dhe ja, një grua kananease nga ajo krahinë shkoi dhe i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli».

23. Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur».

Mateu 15