23. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t’u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm,
24. ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, sepse era ishte kundër.
25. Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen.
26. Po kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika.
27. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!».
28. Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë».
29. Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi te Jezui,
30. po kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!».
31. Jezui menjëherë zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Përse dyshove, njeri besimpakët?».
32. Dhe kur ata hipën në varkë, era pushoi.
33. Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë dhe i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».
34. Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit.