18. Jezui tha: «M’i sillni këtu».
19. Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave.
20. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta.
21. Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.
22. Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat.
23. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t’u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm,
24. ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, sepse era ishte kundër.
25. Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen.
26. Po kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika.
27. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!».