10. Ai dërgoi dikë që i preu kokën Gjonit në burg.
11. Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës.
12. Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit.
13. Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet.
14. Si arriti në breg, ai pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs dhe shëroi të sëmurët e tyre.
15. Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë dhe tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim».
16. Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë».
17. Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete».
18. Jezui tha: «M’i sillni këtu».
19. Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave.
20. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta.
21. Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.
22. Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat.
23. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t’u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm,
24. ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, sepse era ishte kundër.