1. Atëherë Herod tetrarku dëgjoi për Jezuin
2. dhe u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të».
3. Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet,
4. sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua».
5. Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet.
6. Po kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit
7. aq shumë, sa i premtoi me betim t’i jepte çfarëdo që t’i kërkonte.
8. Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit».
9. Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve urdhëroi që t’ia japin.
10. Ai dërgoi dikë që i preu kokën Gjonit në burg.
11. Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës.
12. Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit.
13. Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet.
14. Si arriti në breg, ai pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs dhe shëroi të sëmurët e tyre.