31. Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet.
32. Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet dhe bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj».
33. U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa mielli, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
34. Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra dhe nuk u fliste pa shëmbëlltyra,
35. që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit: Do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj çfarë ishte e fshehur që nga fillimi i botës.
36. Pastaj Jezui i la turmat dhe shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai dhe i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë».
37. Ai u përgjigj:«Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut,
38. ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut.
39. Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt.
40. Ashtu siç mblidhet dhe digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës.
41. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që shtyn në mëkat dhe të gjithë ata që shkelin ligjin e Moisiut,
42. dhe do t’i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh.