24. Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet,
25. por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua.
26. Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra.
27. Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”.
28. Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku.”Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”.
29. Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin.
30. Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t’u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t’i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”».
31. Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet.
32. Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet dhe bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj».
33. U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa mielli, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
34. Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra dhe nuk u fliste pa shëmbëlltyra,
35. që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit: Do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj çfarë ishte e fshehur që nga fillimi i botës.
36. Pastaj Jezui i la turmat dhe shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai dhe i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë».
37. Ai u përgjigj:«Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut,
38. ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut.
39. Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt.