17. Me të vërtetë po ju them se shumë profetë dhe njerëz të drejtë kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan.»
18. «Ju e dëgjuat shëmbëlltyrën e mbjellësit.
19. Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij. Ky njeri është fara që u mboll në rrugë.
20. Ajo që u mboll në gurishtë është ai njeri që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim,
21. por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës së Perëndisë, menjëherë humbet besimin.
22. Ajo që u mboll mes ferrash është ai njeri që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj jete dhe joshja e pasurisë ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme.
23. Ajo që u mboll në tokë të mirë, është ai njeri që e dëgjon fjalën dhe e kupton. Ai jep fryt dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri tridhjetë».
24. Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet,
25. por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua.
26. Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra.
27. Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”.
28. Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku.”Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”.
29. Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin.