39. Por ai u përgjigj:«Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon mrekulli, por asaj nuk do t’i jepet asnjë mrekulli, përveç mrekullisë së profetit Jona.
40. Ashtu si Jonai ndenji tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu do të rrijë edhe Biri i njeriut tri ditë e tri net në zemër të tokës.
41. Banorët e Ninivës do të ngjallen ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë atë, sepse ata u penduan pas predikimit të Jonait. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.
42. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë atë, sepse ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.»
43. «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje, por nuk gjen.
44. Atëherë thotë: “Do të kthehem te shtëpia ime, prej nga dola”. Kur vjen, e gjen shtëpinë të zbrazët, të pastruar e të zbukuruar.
45. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe kësaj breznie të ligë».
46. Ndërsa Jezui po u fliste ende turmave, përjashta prisnin nëna dhe vëllezërit e tij, që kërkonin të flisnin me të.
47. Dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të flasin me ty».
48. Por Jezui iu përgjigj: «Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?».
49. Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve e tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
50. Kushdo që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej, është vëllai im, motra ime dhe nëna ime».