19. Nuk do të ankohet, as do të bërtasë. Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë zërin e tij.
20. Nuk do ta thyejë kallamin e shkelur dhe as do ta shuajë flakëzën që nxjerr tym, derisa të ngadhënjejë e drejta.
21. E në emrin e tij do të shpresojnë paganët.
22. Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, që ishte i pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte.
23. Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?».
24. Po kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».
25. Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha:«Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë.
26. Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij?
27. Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj.
28. Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.