1. Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur dhe filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin.
2. Po kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën».
3. Jezui u tha:«A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të?
4. Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit, që nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?
5. Ose, nuk e keni lexuar në ligjin e Moisiut sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm?
6. Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli.
7. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën dhe jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.
8. Biri i njeriut është Zot i së shtunës».
9. Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre.
10. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?».
11. Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t’i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte?