21. Jezui e pyeti babanë e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?».Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri.
22. Disa herë e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne dhe na ndihmo!».
23. Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson».
24. Menjëherë babai i fëmijës thirri: «Besoj o Zot. Ndihmomë në besimin tim të pakët!».
25. Kur pa Jezui se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë dhe i tha: «Shpirt shurdh e memec, po të urdhëroj, dil prej tij e mos hyr më kurrë!».
26. Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur».
27. Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë.
28. Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?».
29. Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje».
30. Pastaj u larguan që aty dhe kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri.
31. Ai po mësonte dishepujt e tij dhe u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet».
32. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.
33. Arritën në Kafarnaum dhe kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?».
34. Ata heshtën, sepse gjatë rrugës kishin biseduar se kush nga ata ishte më i madhi.
35. Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve».