6. Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t’i shtronin dhe ata ia shtruan turmës.
7. Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve që t’i shtronin edhe këto.
8. Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta.
9. Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau.
10. Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt dhe shkoi në krahinën e Dalmanutës.
11. Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një mrekulli nga qielli për ta vënë në provë.
12. Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një mrekulli? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t’i jepet asnjë mrekulli».
13. Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër.
14. Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë.
15. Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve dhe nga tharmi i Herodit».
16. Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu sepse nuk kemi bukë me vete».
17. Jezui e dinte këtë gjë dhe u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni dhe nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra?
18. Keni sy dhe nuk shikoni? Keni veshë dhe nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë
19. kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?».Ata i thanë: «Dymbëdhjetë».
20. «Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?».Ata i thanë: «Shtatë».
21. Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?».