Marku 8:21-31 Së Bashku (ALNT)

21. Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?».

22. Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër dhe iu lutën që ta prekte.

23. Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij dhe e pyeti: «A sheh gjë?».

24. Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin».

25. Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë.

26. Jezui e dërgoi në shtëpi dhe i tha: «Mos hyr fare në fshat».

27. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?».

28. Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët».

29. Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?».Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti».

30. Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të.

31. Ai filloi t’i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej.

Marku 8