Marku 8:2-14 Së Bashku (ALNT)

2. «Më dhimbset turma, sepse kanë tri ditë që rrinë me mua dhe nuk kanë asgjë për të ngrënë.

3. Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg».

4. Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t’i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?».

5. Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë».

6. Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t’i shtronin dhe ata ia shtruan turmës.

7. Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve që t’i shtronin edhe këto.

8. Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta.

9. Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau.

10. Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt dhe shkoi në krahinën e Dalmanutës.

11. Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një mrekulli nga qielli për ta vënë në provë.

12. Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një mrekulli? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t’i jepet asnjë mrekulli».

13. Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër.

14. Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë.

Marku 8