Marku 7:3-22 Së Bashku (ALNT)

3. Farisenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë pa i larë duart me kujdes deri në bërryl, sipas traditës së të parëve

4. dhe, pasi kthehen nga tregu, nuk hanë pa u larë. Janë edhe shumë gjëra të tjera, që sipas traditës duhet t’i ruajnë, si larje gotash, brokash, enësh bakri dhe shtretërish.

5. Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: «Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së të parëve, por hanë bukë me duar të palara?».

6. Por ai u tha:«Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi: Ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje.

7. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve.

8. Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t’iu përmbajtur traditës së njerëzve».

9. Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj.

10. Në të vërtetë Moisiu ka thënë: Ndero babanë tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për babanë e nënën, të dënohet me vdekje.

11. Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë babait ose nënës se ndihmën që do t’ju jepja, po e bëj korban - që do të thotë dhuratë për Perëndinë -

12. atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar babanë ose nënën.”

13. Kështu, ju shfuqizoni fjalën e Perëndisë me anë të traditës që keni trashëguar. Ju bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto».

14. Jezui e thirri turmën pranë vetes dhe tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh!

16 . Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.».

17. Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën.

18. Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë,

19. sepse nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.

20. Dhe vazhdoi:«Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun,

21. sepse prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet,

22. tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja dhe marrëzia.

Marku 7