13. si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
14. Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur dhe disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të».
15. Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë».
16. Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i kam prerë kokën dhe është ngjallur».
17. Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz që ta kapnin Gjonin, ta lidhnin e ta fusnin në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar.
18. Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua, gruan e vëllait tënd».
19. Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte,
20. sepse Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë dhe të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.
21. Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, komandantët e kohortave dhe për parinë e Galilesë.
22. Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit dhe të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap».
23. Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!».
24. Ajo doli dhe i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?».Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit».
25. Në çast u kthye me nxitim te mbreti dhe i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë».
26. Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit dhe të ftuarve.