27. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin dhe rritet pa e ditur as ai sesi.
28. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra.
29. Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave».
30. Pastaj tha:«Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë?
31. Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka,
32. por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet dhe nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj».
33. Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin.
34. Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, po kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet.
35. Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër».
36. Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me ta ishin edhe disa varka të tjera.
37. Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë.
38. Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?».