1. Jezui filloi përsëri t’i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe ja një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit.
2. Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha:
3. «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë
4. dhe ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën.
5. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhè. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë,
6. por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë.
7. Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt.
8. Fara të tjera ranë në tokë të mirë dhe ndërsa rriteshin dhe zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe një tjetër njëqindfish».
9. Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
10. Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat.