Marku 3:8-26 Së Bashku (ALNT)

8. nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai.

9. Jezui u tha dishepujve t’i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma,

10. sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur.

11. Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë».

12. Dhe ai i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.

13. Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai

14. dhe ai caktoi të dymbëdhjetët që i quajti apostuj, që të qëndronin me të dhe t’i dërgonte të predikonin,

15. duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë.

16. Ja të dymbëdhjetët: Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër,

17. Jakobi, biri i Zebedeut, dhe Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë ‘bijtë e bubullimës’,

18. Andrea dhe Filipi, Bartolomeu dhe Mateu, Thomai dhe Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon kananeasi

19. dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.

20. Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë.

21. Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete».

22. Por skribët që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».

23. Jezui i thirri ata pranë vetes dhe filloi t’u fliste me shëmbëlltyra:«E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin?

24. Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë.

25. Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë.

26. Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund.

Marku 3