Marku 3:23-35 Së Bashku (ALNT)

23. Jezui i thirri ata pranë vetes dhe filloi t’u fliste me shëmbëlltyra:«E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin?

24. Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë.

25. Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë.

26. Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund.

27. Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.

28. Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t’u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë,

29. por kushdo që fyen Shpirtin e Shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar».

30. Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë».

31. Ndërkaq erdhën nëna dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur.

32. Një turmë rrinte ulur rreth tij dhe dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu dhe motrat janë përjashta dhe po të kërkojnë».

33. Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?».

34. Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.

35. Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime dhe nëna ime».

Marku 3