11. Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë».
12. Dhe ai i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.
13. Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai
14. dhe ai caktoi të dymbëdhjetët që i quajti apostuj, që të qëndronin me të dhe t’i dërgonte të predikonin,
15. duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë.
16. Ja të dymbëdhjetët: Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër,
17. Jakobi, biri i Zebedeut, dhe Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë ‘bijtë e bubullimës’,
18. Andrea dhe Filipi, Bartolomeu dhe Mateu, Thomai dhe Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon kananeasi
19. dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
20. Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë.
21. Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete».
22. Por skribët që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».