Marku 3:1-6 Së Bashku (ALNT)

1. Jezui hyri përsëri në një sinagogë dhe aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë.

2. Farisenjtë e vëzhgonin me kujdes për të parë nëse do ta shëronte ditën e shtunë, që të mund ta padisnin.

3. Jezui i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e dil në mes!».

4. Pastaj iu drejtua atyre: «A është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh një jetë apo të vrasësh?». Por ata heshtën.

5. Jezui pa përreth i zemëruar dhe, me keqardhje për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht.

6. Farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me herodianët që ta vrisnin.

Marku 3