Marku 16:1-8 Së Bashku (ALNT)

1. Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Saloma blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit.

2. Të dielën, herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli.

3. Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?».

4. Por panë dhe vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh.

5. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë, që rrinte ulur në të djathtë dhe u shtangën.

6. Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë.

7. Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë».

8. Ato dolën dhe ikën nga varri, se ishin të frikësuara dhe të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt.

Marku 16