32. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.
33. Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites.
34. Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eloi, Eloi lema sabakthani?», që e përkthyer do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?»
35. Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elian».
36. Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit dhe tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur».
37. Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt.
38. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë.
39. Dhe centurioni që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë».
40. Aty gjendeshin edhe disa gra, që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Saloma,
41. të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera, që kishin ardhur me të në Jerusalem.
42. Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës.
43. Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit.
44. Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur.
45. Pasi u njoftua nga centurioni, ia dha kufomën Jozefit.
46. Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit.
47. Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.