55. Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin.
56. Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin.
57. Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij dhe thanë:
58. «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”».
59. Por as dëshmia e tyre nuk përkonte.
60. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çfarë po dëshmojnë kundër teje?».
61. Por Jezui heshti dhe nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?».
62. Jezui iu përgjigj: «Unë jam. Do të shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë të pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit».
63. Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç’na duhen më dëshmitarët?
64. Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.
65. Disa filluan ta pështynin, t’i mbulonin fytyrën dhe ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.
66. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit
67. dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit».
68. Por ai e mohoi dhe tha: «Nuk po e marr vesh dhe as nuk po e kuptoj se ç’thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli.