Marku 13:12-21 Së Bashku (ALNT)

12. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje e babai të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i çojnë drejt vdekjes.

13. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet.»

14. «Po kur të shihni tmerrin e shkretimit, që qëndron atje ku nuk i takon - kush lexon le ta kuptojë - atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve.

15. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij!

16. Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë mantelin!

17. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!

18. Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër,

19. sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë.

20. Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, po për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë.

21. Nëse dikush ju thotë “ja ku është Krishti!”, ose “ja, është këtu!”, mos i besoni.

Marku 13