Marku 12:21-32 Së Bashku (ALNT)

21. Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti,

22. dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja.

23. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?».

24. Jezui u tha:«Gaboheni, sepse nuk njihni as Shkrimet e shenjta, as fuqinë e Perëndisë.

25. Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej.

26. Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.

27. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!».

28. Një skrib, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?».

29. Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot

30. dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.

31. Ndërsa urdhërimi i dytë është: Duaje tjetrin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto».

32. Skribi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij.

Marku 12