31. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».
32. Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t’u tregonte çfarë do t’i ndodhte:
33. «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë paganëve.
34. Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».
35. Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë».
36. Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?».
37. Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde».