Marku 10:25-38 Së Bashku (ALNT)

25. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

26. Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

27. Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».

28. Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje».

29. Jezui tha:«Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë a babë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit

30. nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme.

31. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».

32. Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t’u tregonte çfarë do t’i ndodhte:

33. «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë paganëve.

34. Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».

35. Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë».

36. Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?».

37. Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde».

38. Por Jezui u tha: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë, apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem unë?».

Marku 10