14. Kur i pa, Jezui u zemërua dhe u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata.
15. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».
16. Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
17. Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç’duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?».
18. Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.
19. Ti i njeh urdhërimet: Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero babanë e nënën!».
20. Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».
21. Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».
22. Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri.
23. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!».