Marku 1:27-42 Së Bashku (ALNT)

27. Të gjithë u mahnitën dhe pyesnin njëri-tjetrin: «Ç’është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me autoritet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë dhe ata i binden».

28. E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.

29. Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin.

30. Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit, që dergjej në shtrat me ethe.

31. Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet dhe filloi t’u shërbente.

32. Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli.

33. I tërë qyteti ishte mbledhur te dera.

34. Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme dhe dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.

35. Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t’u lutur.

36. Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij,

37. e gjetën dhe i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë».

38. Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur».

39. Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

40. Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh».

41. Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu!».

42. Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua.

Marku 1